Syri i Kaltër
Gjendet në fshatin Muzinë të Komunës Mesopotam të rrethit të Delvinës. Zona pyjore përreth burimit ka një sipërfaqe 50 ha dhe disnivel nga 180 m në 600 m. Pyll i përzierë mesdhetar dushqesh (qarr, shparth, bulgër dhe bungëbutë), me bimësi higro-hidrofile përgjatë burimeve karstike dhe bimësi ujore përreth liqenit të krijuar nga ndërtimi i digës. Është vend i vetëm ku është takuar deri më sot një lloj i ri për Shqipërinë lakuriqi nate (Myotis bechsteini). Veç të tjerash këtu gjenden restorante ku mund të shijoni troftën e burimit.
Pisha Flamur, Llogora
Gjendet në parkun Kombëtar të Llogarasë, pak më në veri të qafës me të njëjtin emër, 910 m mbi nivelin e detit. Ka formën e flamurit si rezultat i veprimit të erërave të forta të juglindjes. Pisha i përket llojit Pinus nigra. Druri ka lartësi rreth 20 m, diametër të trungut 75 cm dhe moshë rreth 100 vjet.
Pllakat e Sarandës
Gjenden në bregdetin e Sarandës, në veri të kanalit të Çukës. Përfaqësojnë një bregdet shkëmbor në formën e një pllake me pjerrësi të vogël. Janë formuar në ato sektorë të bregdetit, ku shtresa e gëlqerorëve ka rënie në drejtim të detit. Në këto kushte, nën veprimin e dallgëve detare, bregdeti shkëmbor është i ulët, pa plazhe dhe modelohet nga karsti dhe veprimtaria gërryese e valëve detare.
Objekte të tjera natyrore janë plazhet e Rivierës si: Palasë, Dhërmiu, Himara, Spileja, Jali, Qeparoi, Borshi, Buneci, Kakomeja, Ksamili si dhe laguna e Nartës dhe Pasha Limanit.