Dokumentet e shkruara dhe gërmimet arkeologjike, provojnë që qyteti i Durrësit, kryeqendra e Qarkut me të njëjtin emër, është themeluar si qytet në vitin 627 para erës së re nga ana e kolonistëve korinthas dhe korkyras mbi trojet e fisit ilir të taulantëve. Poeti romak Katuls e ka cilësuar Durrësin si " Taverna e Adriatikut". Pozicioni tepër i veçantë gjeografik si urë lidhëse ndërmjet Lindjes e Perëndimit dhe po ashtu si udhëkryq i rrugëve detare, i dhanë kësaj zone një zhvillim të rëndësishëm dhe e kthyen në njërën nga qendrat rajonale të ngjarjeve më të mëdha historike të të gjitha kohërave.
Vizitori ka mundësi të vizitojë amfiteatrin romak të shek I-rë A.D, i cili është i dyti për nga madhësia në gjithë Ballkanin, Rotondën (Forumi Bizantin), muret e kalasë, torrën veneciane, Muzeumin Arkeologjik, Muzeumin Etnografik ku ka jetuar Aleksandër Moisiu, etj. Por nuk është vetëm qyteti i Durrësit. Vetëm 40 km rrugë në drejtim të veriut të qytetit të çojnë në Ishëm, ku përveç peisazheve (më i famshmi ai i Shën Pjetrit), vizitori do të shohë Kishën e Shën Ndout, rrënojat e kalasë së Ishmit, Kalanë e Skëndërbeut në Kepin e Rodonit, etj. Pak më shumë se 40 km nga Durrësi, të çojnë në qytetin e Krujës, në kryeqendrën e shqiptarëve të shekullit XV-të. Emri i këtij qyteti është i lidhur ngushtë me atë të Skënderbeut, të heroit të kombit të shqiptarëve. Kalaja e këtij qyteti si dhe Muzeumi historik, i cili mban emrin e Skëndërbeut, Pazari i vjetër, Muzeumi i pasur etnografik, teqja e Dollamsë, brenda mureve të kalasë si dhe maja e malit të shenjtë të Sari Salltikut janë atraksionet turistike të Qarkut të Durrësit.
Ndërkaq përpara ngjitjes për në Krujë në segmentin Fushë - Krujë - Krujë, pranë fshatit Halilaj ndodhen rrënojat e Zgërdheshit, të cilat sipas studiuesit dhe albanolugut të shquar Von Hann identifikohen me qytetin antik të "Albanopolit ".