Letërsia shqiptare, për shkak të kushteve të vështira historike, ka lindur përgjithësisht me vonesë. Shkrimet e para në gjuhën shqipe, janë të shekullit të XV.
Vepra e parë e shqipes së shkruar është "Meshari" i Gjon Buzukut, i botuar më 1555.
Letërsia shqipe gjatë mesjetës së vonë do të përfaqësohej nga një anë me vepra të shkruara latinisht, në gjuhën e kulturës së kohës, siç janë veprat e humanistëve shqiptarë të, M. Barletit, M. Beçikemit, Marulit etj. dhe nga ana tjetër, me vepra në gjuhën shqipe të një plejade letrarësh patriotë si: P. Budi, F. Bardhi, P. Bogdani etj, që zhvilluan veprimtarinë e tyre krijuese në prozë e poezi dhe i hapën rrugën letërsisë së vërtetë shqipe.
Letërsia artistike do të nisë në fillimet e shekullit të XIX, me zhvillimin e lëvizjes kombëtare për Çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit osmanë. Në këtë kohë, në diasporë dhe në Shqipëri do të lindë shtypi dhe do të botohen libra që do të hedhin themelet e letërsisë kombëtare shqiptare.
Vepra e parë madhore e kësaj letërsie do të jetë poema "Këngët e Milosaos", e poetit arbëresh Jeronim de Rada, botuar në vitin 1836.
Gjithë veprat që do të botohen më pas deri në 1912, do ti takojnë një periudhe letrare që njihet nën emrin letërsia e Rilindjes.
Kjo, është një letërsi kryesisht patriotike, me nota luftarake dhe frymëmarrje romantike. Kësaj letërsie, do ti prijë poeti Naim Frashëri, i cili me poezinë e vet lirike dhe epike u bë poeti kombëtar i popullit shqiptar.
Në kuadrin e letërsisë së Rilindjes do të krijojnë shkrimtarë si Andon Zako - Çajupi, F. Konica, Asdreni, F. Shiroka, G. Dara, Z. Serembe etj.
Letërsia e kësaj periudhe ishte kryesisht letërsi poetike.
Proza sapo do të bënte hapat e parë si prozë publicistike, historike dhe më pak si prozë letrare.
Po kështu dhe dramaturgjia do të japë veprat e para pioniere.
Me çlirimin e Shqipërisë dhe krijimin e shtetit shqiptar, letërsia do të hynte në një periudhë të re zhvillimi (1912-1939).
Traditat e shquara në lëmin e poezisë do të lëvronin më tej nëpërmjet krijimtarisë së pasur të poetit të shquar Gjergj Fishta dhe të poetëve të tjerë si N. Mjeda, F. Noli, L. Poradeci, A. Asllani, V. Prenushi etj.
Letërsia do të shënonte një etapë të re me lindjen e romanit shqiptar në dekadën e dytë të këtij shekulli me romanet e N. Nikajt, F. Postolit, Z. Arapit dhe më pas me ato të H. Stërmillit e S. Spasses.
Nga ana tjetër, në lëmin e prozës do të ndjehet një ngritje e nivelit të tregimit, e cila do të kualifikohet artistikisht nga M. Kuteli dhe E. Koliqi.
Gjatë periudhës së Pavarësisë, tema patriotike nuk do të jetë më në qendër të letërsisë. Problemet e mprehta shoqërore do të trajtohen nga brezi i letrarëve realistë, ku përmendim poetin dhe prozatorin e talentuar Migjeni, i cili la gjurmë të thella dhe ndikoi në rrjedhat e letërsisë moderne shqiptare.
Në këtë drejtim mund të përmendim letrarët e rinj si P. Marko, N. Bulka, Dh. Shuteriqi, G. Pali, A. Çaçi etj.
Në vitet e çlirimit kombëtar e shoqëror do të zhvillohet letërsia shqipe me tipare të reja, si një letërsi realiste. Edhe pse në kushtet e një shteti monist, letërsia shqipe gjatë afro pesë dekadave (1944-1990) njohu pjekurinë e saj, u konsolidua dhe u afirmua si një letërsi me vlera të nivelit evropian.
Një moment i rëndësishëm në letërsinë shqiptare në këto vite janë në fushën e romanit, ku mund të përmendim D. Agolli, J. Xoxa, S. Spasse, A, Abdihoxha, F. Gjata etj.
Në këtë fushë dallon talenti i madh i Ismail Kadaresë, romanet e të cilit janë një enciklopedi e jetës dhe e historisë së shqiptarëve. Gjithashtu ato përbëjnë një kapitull me merita të veçanta në letërsinë shqiptare.
Me këtë autor, të përkthyer në dhjetëra gjuhë të botës, letërsia shqiptare është përfaqësuar me dinjitet të plotë para opinionit të huaj.
Tabloja e letërsisë së sotme shqipe është e gjerë, komplekse dhe çështë më e rëndësishme, ajo është gjithnjë në zhvillim e sipër.
Kjo shpjegon dhe faktin që, brenda një shoqërie pluraliste, letërsia po fiton një frymëmarrje më të gjerë, si dhe diversitet konceptesh ideo - estetike dhe variacione trajtash e shprehjesh nga më bashkëkohoret.
Librari Albania