Shkodra ruan një pasuri të madhe në fushën e Trashëgimisë Kulturore në gjininë e ndërtimeve të kultit, të fortifikimeve, të ndërtimeve inxhinjerike, në fushën e ndërtimeve popullore si dhe të arteve të aplikuara, në një hapsirë nga shek.X-të deri në ditët e sotme. Janë gjithsej 124 objekte në qytetin e Shkodrës të gjinive të ndryshme, të cilat për vlerat e veçanta historike, urbanistike, arkitektonike, tipologjike dhe artistike janë cilësuar "Monumente Kulture" të kategorisë së I-rë, ndërkohë që të gjitha ndërtimet e tjera në zonat muze dhe ato të mbrojtura janë "Monumente kulturore" të kategorisë së II-të. Të gjitha këto monumente trajtohen me status të veçantë. Komuna e Velipojës e përfshirë në qarkun e Shkodrës përfshin në territorin e saj zonat turistike të plazhit të Velipojës dhe Rrjollit. Gjithashtu Velipoja është e vetmja dalje në det për Qarkun e Shkodrës dhe me një vijë bregdetare 15 km e gjatë. Vetë pozicioni gjeografik, klima dhe vlerave natyrore favorizojnë që kjo zonë të jetë e frekuentueshme gjatë gjithë vitit për vizitorët.
Ujëvara e Thethit (Grunasit)
Ndodhet në afërsi të fshatit Theth, komuna Shalë e rrethit të Shkodrës, në lartësinë 900 m mbi nivelin e detit. Përfaqëson një ujëvarë me lartësi rreth 30 m. Ajo ka pamje mjaft tërheqëse, sidomos në kohë me diell.
Razma
Pozita gjeografike:
Razma ndodhet në Rrethin e Malësisë së Madhe në Shqipërinë e Veriut afër qytetit të Koplikut në një distancë rreth 45 km nga qyteti i Shkodrës. Fshatrat Virth, Kastrat, Xhaj dhe Razma i takojnë këtij rrethi. Ata shtrihen në rrëzë të malit Veleçik në një lartësi rreth 900 metër mbi nivelin e detit.
Përshkrimi i relievit:
Malet Veleçik (1,724 m), Kunorë (1,713 m) dhe Kunora e Zagorës (1,862 m) ndërthuren në një panoramë malore shumë tërheqëse. Maja e Malit Veleçik ëshë e mbuluar me borë nga tetori deri në maj. Në verë, pyjet e gjera me drurë halorë dhe lisa në Razëm tërheqin turistët e shumtë nga zonat përreth për udhëtime në fundjavë ose pushime më të gjata. Kullotat shumëngjyrëshe dhe hapsirat e gjera të gjelbëruara janë më të përshatshme për shëtitje apo veprimtari sportive ndërsa ajri i freskët dhe i pandotur i zonës ndihmon rigjenerimin nga stresi i qyteteve të rrëmujshme.
Klima:
Megjithëse klima është malore, ka mjaft diell gjatë verës. Temperaturat nuk janë kurrë tepër të larta për shkak të pozicionit të zonës në lartësi. Në dimër ka mjaft dëborë që shtresëzon deri në një metër për rreth 60 ditë rresht në vit. Rreshjet vjetore ndryshojnë nga 2500 deri 2700 mm, ku pjesa kryesore e tyre bie në vjeshtë dhe në dimër. Klima në këtë rajon është më e përshtatshmja për zhvillimin e turizmit gjatë verës dhe gjithashtu në dimër.
Flora dhe Fauna
Territori që ka Razma shtrihet në një lartësi 900 deri 1000 metër mbi nivelin e detit. Për këtë arsye, lisat, pishat dhe bredhat janë të përhapur gjerësisht. Përveç kësaj atje ka edhe një sërë bimësh endemike dhe bimësh mjekësore. Disa shkencëtarë nga Italia dhe Austria kanë bërë disa kërkime dhe kanë zbuluar një numër të madh të bimëve endemike dhe çajrave shëruese në këtë zonë. Pasi ekosistemi i kësaj zone është akoma i patrazuar, atje jetojnë shumë kafshë të egra si dhelprat, ujqërit, lepujt, ketrat, derrat e egër, dhitë e egra e shumë të tjerë. Shqiponjat, skifterët, pulat e egra, gjeli i egër dhe pëllumbi i egër mund të vëzhgohen këtu gjatë shëtitjeve në pyll.
Shpellat
Shpella e Veleçikut është 28 metër e thellë. Shpella e Lugut në verilindje të Razmës është 79 metra e gjatë dhe ka një burim me ujë shumë të kthjellët e të pijshëm.
Objekte të tjera natyrore janë pikat malore të Bogës, Vermoshit, luginat malore të Cemit e Lepushës, Parku Kombëtar i Thethit, liqeni i Vaut të Dejës, plazhet e Velipojës, Laguna e Vilunit, ishulli aluvional i Franc Jozefit në grykëderdhje të Bunës, liqeni i Shkodrës, i cili është më i madhi në Ballkan me pikat e Shirokës, Zogajt, Kalldrunit, etj.