Gryka e Murdharit
Ndodhet në verilindje të qytezës së Kërrabës. Është formuar në shkëmbinjtë gëlqerorë nga përroi homonim, degë e Erzenit. Gryka është e gjatë rreth 1 km, e thellë rreth 100 m dhe e gjerë rreth 30 m, duke marrë trajtën e një kanioni mjaft interesant. Ka shpate të thepisura, me guva e shpella karstike të vogla. Përbën një ekosistem. Tek ky monument shkohet duke ndjekur rrugën Tiranë - Mushqeta - Kërrabë për rreth 25 minuta.
Shkëmbi i Kavajës
Ndodhet në afërsi të fshatit Shkallnur, deri në 105 m mbi nivelin e detit. Përbën një gur konglomeratik dhe ranor me moshë miocenike, i modeluar nga era. Është i gjatë deri në 200 m dhe 100 m i gjerë. Vizitohet duke marrë rrugën automobilistike Durrës - Plepa - Shkëmbi i Kavajës. Në antikitet është njohur me emrin "Petra". Këtu është zhvilluar beteja e fundit midis Cezerit dhe Pompeut, e cila u mbyll me humbjen e këtij të fundit.
Shpella e Shutresë (Valit)
Me këtë emërtim ka disa shpella. Këtu është fjala për shpellën që ndodhet në afërsi të fshatit Val, në skajin lindor të Malit me Gropa, në lartësinë 900 m mbi nivelin e detit. Ajo është rreth 800 m e gjatë. Ka dy hyrje, njëra në formën e një pusi rreth 100 m të thellë, që përfundon në galerinë kryesore dhe tjetra në formën e një zgavre, rreth 30 m mbi shtratin e përroit të Peshkut, degë e lumit të Matit. Pas kësaj hyrje shpella ka zhvillim horizontal, me disa pragje të vegjël, derisa përfundon në një liqen, që duhet të jetë njëra anë e sinfonit dhe më pas të nxjerr në mjediset e tjera të shpellës. Për të vizituar këtë shpellë ndiqet rruga Tiranë- Bizë-Val - përroi i Peshkut.
Objekte të tjera janë: plazhet e Golemit, Malit të Robit, Karpenit, Spilles, Parku Kombëtar i Dajtit, Shkalla e Tujanit, Shpella e Mirë e Shën Engjëllit në malin e Brarit, Shpella e Pëllumbasit në grykën e Skoranës, lugina e Erzenit, Biza, etj.