Kanioni i Osumit
Skrapari mund të quhet edhe rrethi i "kanioneve madhështore". Në të gjenden dy kanione të mëdha, (Osumit dhe Gradecit) të dy monumente natyre. Kanioni i Osumit, më i madhi në gjithë Shqipërinë me të drejtë është quajtur "Koloradoja e Shqipërisë". Ai gjendet në sektorin Çorovodë - Hambull të luginës së Osumit, është rreth 15 km i gjatë, nga 3 deri në 20 m i gjerë, i thellë deri në 50 m, me shpate vertikale, përfund të cilëve rrjedh lumi i Osumit. Në disa sektorë të tij shfaqen ujëvara të mëdha me bukuri befasuese si dhe plazhe ku përmendim atë të Varishtës. Në muret vertikale të kanionit ka mjaft guva e zgavërime të formuara nga proçeset e karstit. Midis tyre dallohet "Vrima e nuses", që ndodhet 800 m në afërsi të fshatit të Bigazit dhe që është një zgavër apo ndoshta një shpellë karstike në formën e një galerie me gjatësi 7 - 8 m dhe diametër rreth 2 m. Në muret vertikale gëlqerore ka edhe shpella të tjera shumë më të mëdha, të cilat presin eksploratorët për t'i zbuluar dhe evidentuar vlerat e tyre të shumta.
Ka qenë pikërisht bukuria e veçantë dhe forma interesante e këtij kanioni që rreth tij të dilnin edhe legjenda, të cilat kanë udhëtuar gojë më gojë deri në ditën e sotme. Midis tyre tregohet legjenda e nuses dhe ajo e gjurmës të të shenjtit Abaz Aliu.
Legjenda e lidh shpellën e "Vrimës së Nuses", të përmëndur më lart, me fatin e një nuseje që po martohej pa dëshirën e saj, por që ishte e detyruar të zbatonte zakonin e vjetër. Krushqit po ktheheshin me nusen që kishin marrë në një fshat tjetër, kur arritën këtu nusja u thotë atyre se "po e çonin tek burri pa dëshirën e saj", por krushqit nuk i dhanë përgjigje. Ndaj ajo e mendoi vet planin e ikjes. Duke i'u lutur zotit, i drejtohet shkëmbit të kanionit: "Hapu, o shkëmb që të shpëtoj nga sikleti që më ka zënë". Dhe shkëmbi e dëgjoi, menjëherë hapi një vrimë, zgavër. Nusja u hodh nga kali dhe u fsheh në këtë vrimë. Krushqit u kthyen në fshat pa të. Më vonë kjo vrimë nisi të vizitohej nga nuse të reja që kërkonin të bëheshin me fëmijë. Legjenda e dytë lidhet me format e çuditshme të krijuara nga karsti (tretja) e gëlqerorëve në ujë. Këto forma janë të ngjashme me gjurmën e një kali dhe të një shkopi. Ato gjenden pranë fshatit Dhores, rreth 5 km larg qytetit të Çorovodës. Legjenda i cilëson ato si gjurmët e shenjtit Abaz Aliu, i cili erdhi në Tomor nga Qerbelaja, hipur mbi kalin e tij të bardhë. Ai fluturoi dhe e la gjurmën e tij në dërrasën e Kajcës, nga ku përsëri fluturoi në malin e Tomorrit. Besimtarët bektashianë për të qetësuar shpirtin, kërkojnë ndihmën e gjurmës së shenjtit Abaz Aliu.